Stafi i Bashkisë Berat morri pjesë së fundmi në një seminar trajnues mbi tërheqjen e fondeve të Bashkimit Evropian. Seminari organizohej në Slloveni nga Qendra për Perspektivë Evropiane, Agjenci e Shtetit Slloven e cila ndihmon vendet që dëshirojnë të aderojnë në Bashkimin Evropian. Programet të cilat u shpjeguan kishin në fokus Fondet Strukturore të Bashkimit Evropian të cilat lidhen me Objektivin e Kohezionit. Në pjesën më të madhe programet e shpjeguara presupozonin se Shqipëria do të kishte marrë statusin e shtetit kandidat.
Programe të tjera që u shpjeguan ishin ato ndërkufitare. Qarku i Beratit nuk përfiton nga programet ndërkufitare me Bashkimin Evropian si rrjedhojë e përcaktimit të territoreve përfituese në fillim të hartimit të Buxhetit dhe politikave në vitin 2007. Tani së shpejti Komisioni Evropian është duke rindërtuar politikat e tij për periudhën 2014-2020 dhe Bashkia Berat do t’i drejtohet Ministrisë së Integrimit për të parë mundësinë që Berati të përfshihet në programin ndërkufitar Adriatik si një zonë e bashkangjitur. Marrja e statusit si një zonë e bashkangjitur do t’i mundësonte Beratit që të përfshihej në programet ndërkufitare.
Ndër të tjera u shpjeguan Buxheti i BE-s, Politikat, Objektivat, Mënyra e Konkurrimit si dhe Hartimi i Projekteve. U rekomandua edhe literatura bazë si dhe burimet online të përgatitjes për tërheqjen e fondeve. U dha një pasqyrë edhe e detyrimeve të Shtetit Shqiptar pas aderimit si Shtet Kandidat.
Qendra për Perspektivë Evropiane u zotua që do të vazhdojë bashkëpunimin me bashkitë tona më tej duke planifikuar trajnime të tjera vitin e ardhshëm si dhe duke parë mundësi për bashkëpunime konkrete për projekte të përbashkëta.