Home / Aktivitete / Promovohet libri: “Gjon Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut” i autorit Ylli Polovina

Promovohet libri: “Gjon Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut” i autorit Ylli Polovina

“Gjon Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut”  është libri më i ri i autorit Ylli Polovina i cili u promovua  paraditen e sotme  në mjediset e Bibliotekës “Vexhi Buharaja” të qytetit të Beratit. “Gjon Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut”, është  një libër studimor, i cili përfshin 5 shekuj histori të familjes arbërore, për të cilin autori ka punuar disa vite. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm kryetari i bashkisë Fadil Nasufi, studiues, historianë, qytetarë e të ftuar të tjerë. Aktivitetin e hapi drejtoresha e bibliotekës Valbona Zylytari. Më pas përshëndetën edhe kryebashkiaku Fadil Nasufi. Rreth vlerave të librit artistiko-historik foli autori i këtij shkrimi (Abedin Kaja, gazetari i ‘Gazeta Shqiptare’), i cili ndërsa ka komentuar librin  midis të  tjerash tha se:  “Në universin e kulturës shqiptare është i rrallë fakti që një krijues të dalë para lexuesve me autoritetin e admirueshëm të një shkrimtari, publicisti, historiani, diplomati, gjeografi, analisti dhe kritiku të talentuar“  siç është Ylli Polovina.

Vet autori Polovina  u shpreh se  titulli i librit “Gjon Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut”,  nuk është  kundërvënie mes dy personazheve, por përballje, pasi sipas Polovinës, Muzaka ishte i vetmi prijës i madh që e kritikoi Skënderbeun në testamentin e tij dhe që shpërfaq shumë anë të tjera të heroit. “Skënderbeu,  Muzakajt i ka pasur të besës, kurse vet  Teodorin një mik të tij dhe të atit. Libri është edhe një  lloj proteste ndaj vesit të kujtesës afatshkurtër që karakterizon shqiptarët, pasi asnjëherë nuk janë bërë përpjekje që të zbardhet, apo të vijë në vëmendje historia e Muzakajve, por ka  pasur një qëndrimi të vazhdueshëm shpërfilljeje, deri në fillimin e këtij mijëvjeçari” – sqaroi  Polovina.  Më pas shkrimtari Ylli Polovina zhvilloj një bisedë me mësuesit e gjimnazit  “Babë Dud Karbunara“ ku vite më parë  ka punuar si mësues.