Home / Aktivitete / Projekti i Menaxhimit te mbetjeve te ngurta

Projekti i Menaxhimit te mbetjeve te ngurta

Në sallën e mbledhjeve të Bashkisë së Beratit u zhvillua sot një takim i Komitetit Drejtues të Projektit të Menaxhimit të Mbetjeve të Ngurta, Qarku Berat. Ishin të pranishëm përfaqësuesja e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës, znj. Lindita Sotiri, Kryetari i Bashkisë së Beratit, z. Petrit Sinaj, Kryetari i Bashkisë së Kuçovës, z. Selfo Kapllani, përfaqësues nga Këshilli i Qarkut Berat, nga bashkitë e Skraparit dhe Urës Vajgurore. Ky takim i Komitetit Drejtues synon të prezantojë dhe të miratojë Planin e Punës së Projektit si dhe fazën e parë dhe të dytë të masave afatshkurtra të propozuara nga vetë bashkitë, si elemente kyç të Raportit Fillestar. Ky Komitet Drejtues, me perfaqësues edhe nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Mjedisit dhe Turizmit, dhe Ambasada Zvicerane në Tiranë, siguron udhëzime strategjike dhe mbështetje për zbatimin me sukses të projektit. Pas fjalës së mirëseardhjes së Kryebashkiakut Sinaj, u kalua te konstituimi i Komitetit Drejtues nga z. Hantin Bonati, Zvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë të Zvicrës dhe Philipp Keller, Zvendësambasador i Zvicrës në Shqipëri. Nga z. Gernod Dilewski, drejtuesi i ekipit të projektit, znj. Alba Dakoli Wilson, zvendësdrejtuese e ekipit të projektit, dhe znj. Mirela Buhuri, menaxhere rezidente e projektit, u bë prezantimi i fazës së parë dhe të dytë të masave afatshkurtra të propozuara nga bashkitë e Qarkut Berat. Më tej anëtarët e Komitetit Drejtues diskutuan dhe miratuan fazën e parë dhe të dytë të masave afatshkurtra dhe të Planin të Punës së Projektit. Shifra që u miratua sot për fazën e parë të rehabilitimit të landfillit ekzistues për Bashkinë e Beratit ishte 1 101 528 €. Në fund të takimit pjesëmarrësit u njohën me fazat pasardhëse të zhvillimit të projektit.