Home / Investime / PËRUROHET SHKOLLA E VETERIKUT DHE KOPSHTI I DUSHNIKUT

PËRUROHET SHKOLLA E VETERIKUT DHE KOPSHTI I DUSHNIKUT

Sot, Kryetari i Bashkisë, z. Petrit Sinaj, ka marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të shkollës 9 – vjeçare të Veterikut dhe të kopshtit të Dushnikut. Të pranishëm në këto ceremoni ishin menaxheri i TAP për Shqipërinë, z. Malfor Nuri, përfaqësues të institucioneve vendore, drejtues të institucioneve të arsimit, mësues, nëxënës të shkollave, banorë të komuniteteve etj. Rikonstruksioni i këtyre objekteve është kryer falë mbështetjes së pakufizuar të Kompanisë TAP, e cila është angazhuar të financojë projekte mjedisore dhe investime sociale përgjatë zonave ku ajo operon. Investimi i TAP në të dyja godinat, me vlerë të përbashkët prej 440 000 €, u ofron nxënësve dhe fëmijëve të komuniteteve respektive kushte bashkëkohore për zhvillimin e veprimtarive mësimore. Menaxheri i TAP për Shqipërinë, z. Malfor Nuri, dhe Kryetari i Bashkisë, z. Petrit Sinaj, pas zbulimit të pllakatave të inaugurimit, vizituan ambientet e brendshme të kopshtit dhe të shkollës së rikonstruktuar, midis të cilave, edhe këndin ku ishin ekspozuar fotot e ndërtesave para konstruksionit të kryer. Në fjalën e tij menaxheri i TAP, z. Malfor Nuri, u shpreh: “Ndërtimi i kopshtit të fshatit Dushnik dhe rikonstruksioni i shkollës së fshatit Veterik janë dy investime shumë të rëndësishme të TAP në Berat. Mbi 250 fëmijë do ta kenë më të lehtë edukimin e tyre për një të ardhme më të mirë. Ashtu si edhe për bibliotekën e Beratit, dua të falenderoj Bashkinë e Beratit që na ka qëndruar pranë në realizimin e këtyre investimeve”. Ndërsa Kryebashkiaku Sinaj, pasi falenderoi Kompaninë TAP për investimin e kryer, u shpreh se ndërhyrjet në këto dy institucione kanë qenë të domosdoshme, pasi prej tyre përfton një komunitet i gjerë. “Përmirësimi i infrastrukturës së institucioneve të edukimit ka pasur dhe do të ketë një vëmendje të veçantë nga ana e Bashkisë. Ky ishte një investim i munguar prej vitesh, pasi buxheti i Bashkisë e kishte të vështirë të përballonte një infrastrukturë të amortizuar të këtyre objekteve, duke ditur që shumica e godinave të shkollave janë ndërtime të viteve ’70, te të cilat nuk janë parashikuar pritshmëritë dhe kërkesat e kohës. Megjithatë, me ndërhyrjen e TAP, këto dy objekte janë transformuar rrënjësisht, duke ofruar standarde bashkëkohore për edukimin e fëmijëve tanë. Gjej rastin të falenderoj Kompaninë TAP për korrektësinë dhe bashkëpunimin e ofruar”.