Home / Investime /  PËRUROHET SHKOLLA E MESME STAROVË 

 PËRUROHET SHKOLLA E MESME STAROVË 

Sot paradite Kryetari i Bashkisë, z. Petrit Sinaj dhe përfaqësues të tjerë të Bashkisë morën pjesë në ceremoninë e përurimit të shkollës së mesme Starovë. Investimi prej 43 772 871 lekësh ( të rinj), që u financua nga Bashkia Berat, nisi në 28.07.2017. Ky investim i Bashkisë krijoi kushte dhe mjedise të përshtatshme studimi për rreth 320 nxënës, duke përfshirë këtu të gjitha ciklet e edukimit, që nga kopshti deri në gjimnaz. Në rikonstruksionin e plotë të kësaj godine trikatëshe janë kryer suvatime të jashtme dhe të brendshme, instalime elektrike, hidraulike, shtrime pllakash, lyerje me bojë, rrethimi i shkollës me mure dhe kangjella, mbjellje pemësh, kanalizimi i ujërave të bardha dhe të zeza, është ndërtuar çatia e godinës, lyerja e fasadave, janë krijuar kushtet për zhvillimin e orëve të edukimit fizik, duke i pajisur ambientet e jashtme të kësaj shkolle me dhoma zhveshjeje, fusha të basketbollit, futbollit dhe volejbollit. 

Kryebashkiaku Sinaj vizitoi ambientet e kësaj shkolle dhe zhvilloi një bisedë të shkurtër me mësuesit e saj. Pasi i uroi ata për shkollën e re, dëgjoi disa nga kërkesat e tyre që lidheshin kryesisht me pajisjen e shkollës me bazën e duhur mësimore didaktike. Kryetari Sinaj u shpreh se ky problem apo dhe ndonjë tjetër që mund të konstatohet në vazhdim nga ana e stafit pedagogjik do të zgjidhet shumë shpejt, duke krijuar kushte optimale jo vetëm për mësuesit, por edhe për nxënësit, në mënyrë që procesi mësimor të vijojë në ambiente bashkëkohore.