Home / Projekte / MBLIDHET KOMISIONI VENDOR I EMERGJENCAVE CIVILE

MBLIDHET KOMISIONI VENDOR I EMERGJENCAVE CIVILE

Në sallën e konferencave të Bashkisë u mblodh sot Komisioni Vendor i Emergjencave Civile për të prezantuar aktivitetin e këtij institucioni për vitin 2018, detyrat që dalin në zbatim të urdhrit të brendshëm nr. 109, datë 30.01.2019 “Për ngritjen dhe funksionimin e Komisionit të Emergjencave Civile pranë Bashkisë Berat për vitin 2019”, mënyrën e funksionimit të këtij komisioni, si dhe dhënien e detyrave konkrete për çdo ndërmarrje në varësi të Bashkisë. Të pranishëm në këtë mbledhje ishin Prefekti i Qarkut Berat, z. Harilla Dafa, Nënkryetari i Bashkisë, z. Bledar Blana, specialisti i emergjencave civile, z. Halim Koxhaj, dhe anëtarë të këtij komisioni. Në fjalën e tij Nënkryetari Blana, pasi prezantoi materialin e përgatitur, u shpreh se duhen marrë masa parandaluese për përballimin e emergjencave civile dhe duhen nxjerrë detyra konkrete nga çdo ndërmarrje në varësi, duke plotësuar formularët përkatës. Ndërsa Prefekti i Qarkut, z. Dafa, theksoi se Prefektura duhet të marrë në kohë reale informacionin e duhur për këto emergjenca, duke e vënë theksin në bashkëpunimin konkret midis institucioneve, për të përballuar me efikasitet çdo situatë emergjente.