Home / Njoftime / Mbledhja e Keshillit Bashkiak date 28.12.2015

Mbledhja e Keshillit Bashkiak date 28.12.2015

Mbledhja e Këshillit Bashkiak Berat e zhvilluar në datë 28.12.2015 finalizoi miratimin e dy dokumentave më të rëndësishëm financiarë të Bashkisë: paketën dhe miratimin e plan buxhetit të vitit 2016.
Në përmbushje të misionit të saj, dhe angazhimit të marrë përpara qytetarëve, nëpërmjet implementimit të këtyre dokumentave, Bashkia Berat synon të ofrojë shërbime cilësore për një komunitet që zhvillohet me ekonomi dinamike të mbështetur mbi turizmin e agrobiznesin.
Paketa fiskale dhe plan buxheti janë hartuar bazuar mbi ndryshimet që ka pësuar Bashkia Berat si pasojë e reformës territoriale, duke marrë në konsideratë territorin e ri dhe vecoritë karakteristike të secilës njësi administrative. Hartimi i këtyre dokumentave ka kaluar pas analizave të kujdesshme të administratës së bashkisë dhe mbi 20 dëgjesave publike të organizuara me qytetarë dhe grupe interesi në cdo zonë të Beratit. Ky buxhet reflekton më së miri vullnetin e qytetarëve për një qytet që zhvillohet.
Paketa fiskale e vitit 2016 është ndërtuar bazuar mbi parimin e patjetërsueshëm që të minimizojë kostot për qytetarin dhe të rrisë cilësinë e shërbimit ndaj tij. Në këtë prizëm, Bashkia do të maksimizojë eficencën e përdorimit të burimeve të saj njerëzore dhe financiare. Kjo paketë fiskale është e plotë dhe reflekton jo vetëm ndryshimet që janë bërë në ligjin bazë të sistemit të taksave dhe tarifave vendore, por edhe ndryshimet e imponuara nga reforma territoriale.
Paketa fiskale përfshin kategorizime të taksës / tarifës sipas llojit dhe niveleve vecmas për secilën njësi administrative, duke marrë në konsideratë vecoritë e tyre specifike. Bashkia gjithashtu ka unifikuar procedurat fiskale dhe synon rritjen e arkëtimeve nga të ardhurat vendore.
Plan buxheti i miratuar për vitin 2016 synon të adresojë sfidat më thelbësore me të cilat ndeshen qytetarët duke u fokusuar në dy pika: përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të ofruara dhe rritjen e investimeve strategjike për zhvillim. Bashkia Berat synon të zgjerojë gamën e investimeve duke u mbështetur jo vetëm në të ardhurat e arkëtuara nga taksat e tarifat lokale, apo granti i pakushtëzuar i qeverisë, por duke hartuar projekte serioze për të bashkëpunuar me donatorë të ndryshëm.

Më konkretisht, gjatë mbledhjes së këshillit bashkaik u miratuan pikat e mëposhtme:
1. Relacion dhe projekt vendim “Për sistemin e taksave dhe tarifave vendore në bashkinë BErat për vitin 2016 (paketa fiskale), me 21 vota pro, 0 kundër, 1 abstenim.
2. Relacion dhe projekt vendim “Analiza e aktivitetit ekonomik financiar të bashkisë Berat për vitin 2015 dhe miratimi i plan buxhetit për vitin 2016”, me 22 vota pro, 0 kundër, 0 abstenim.
3. Shtesë në rend dite, relacion dhe projekt vendim “Për miratimin e marrjes së konformitetit për procedurën e hartimit të PDV-së në nënnjësinë strukturore C.2.2.a/1”, me 22 vota pro, 0 kundër, 0 abstenim.
4. Shtesë në rend dite, relacion dhe projekt vendim “Për miratimin e marrjes së konformitetit për marrjen e nismës për hartimin e planit të detajuar vendor të nënnjësisë strukturore C.2.2a/4”, me 22 vota pro, 0 kundër, 0 abstenim.