Home / Aktivitete / Kryetari i Bashkisë Z. Fadil Nasufi pret gazetaren nga Washington D.C Cate Lineberry

Kryetari i Bashkisë Z. Fadil Nasufi pret gazetaren nga Washington D.C Cate Lineberry

Më 20 Mars 2012, Kryetari i Bashkisë Z. Fadil Nasufi priti në zyrën e tij gazetaren nga Washington D.C. Kate Lineberry e cila po grumbullon fakte dhe dokumente autentike rreth historisë së 30 mjekëve dhe infermerieve amerikane. Avioni C-53 me të cilin ata udhëtonin bëri një ulje të detyruar në vendin tonë (pranë një fshati të Elbasanit) më 8.11.1943. Në takim ishin të pranishëm Kryetari i Komitetit të Veteranëve të LANÇ-it të rrethit Berat Z. Orhan Frashëri, zonja Elda Stefa, e bija e Kostaq Stefës, shoqëruesit të mjekëve dhe infermiereve amerikane.

Kryetari i Bashkisë, Z. Fadil Nasufi i paraqiti gazetares Lineberry një pasqyrë të plotë të LANÇ-it, qëllimit të saj, raportit të forcave, rolit të aleatëve, si dhe u ndal në bujarinë dhe mikpritjen shqiptare, veçanërisht të qytetarëve beratas, të cilët strehuan për një periudhë 3-mujore mjekët dhe infermierët amerikanë.

Kryetari i Komitetit të veteranëve të LANÇ-it Z. Orhan Frashëri si dëshmitar okular solli fakte dhe detaje nga ndihma dhe mikpritja e familjarëve të qytetit të Beratit dhe Skraparit të cilët strehuan gjatë luftës mjekët dhe infermieret amerikane. Me interes ishte edhe letërkëmbimi i Kostaq Stefës, me qeverinë amerikane dhe falënderimi i saj për ndihmesën dhe shoqërimi që ai i bëri grupit të mjekëve amerikanë; faksimile të të cilit Znj. Elda Stefa ia dhuroi zonjës Lineberry.

Znj. Lineberry u interesua dhe kërkoi detaje rreth kalvarit të vuajtjeve të 30 mjekëve dhe infermiereve amerikane të cilat do t’i shërbejnë në hartimin e librit të saj për këtë ngjarje.

Me interes ishin dhe vizitat që zonja Cate Lineberry dhe grupi shoqërues zhvilloi në familjet e Ferbent Shehut dhe Kostaq Stefës ku kanë bujtur mjekët dhe infermieret amerikane gjatë luftës.

Znj. Lineberry në fund të takimit falënderoi Kryetarin e Bashkisë Z. Fadil Nasufi dhe të ftuarit për pritjen e ngrohtë dhe për ndihmesën që ata i dhanë për të ndriçuar më mirë këtë ngjarje për të cilën ajo së shpejti do të botojë një libër kujtimesh në SHBA.

Kadri Kuka