Home / Të Rejat nga Trashëgimia / Interviste e Kryetarit F. Nasufi me rastin e 6-vjetorit ne UNESCO

Interviste e Kryetarit F. Nasufi me rastin e 6-vjetorit ne UNESCO

Qyteti muze i Beratit, 6 vjet nga anëtarësimi në UNESCO, ka filluar të zgjohet, kjo falë financimit të disa projekteve që kanë nisur të marrin jetë. Në këto vite është konstatuar një rritje e ndërgjegjësimit të institucioneve shtetërore për trashëgiminë kulturore dhe për një vëmendje të veçantë ndaj vlerave të Beratit. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” kryetari i bashkisë Fadi Nasufi, ka folur edhe për arritjet dhe sfidat që përballet qyteti me karakteristika të veçanta historike e arkitektonike. Ndërsa shprehet se ka projekte që do e kthejnë qytetin nga një ‘xhep’ i harruar në rrugën e investimeve të mëdha, Nasufi thekson se po konkretizohen disa projekte të cilat fillimisht janë planifikuar me kujdes në planet tona strategjike për zhvillimin e qytetit në bashkëpunim të ngushtë me ekspertizën e UNESCO-s dhe janë në rrugën e financimit për të siguruar konservimin dhe rijetëzimin e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s.

Cilat janë projektet tuaja në bashkëpunim me UNESCO-n? 

Projekteve tona të përbashkëta me UNESCO, po i bashkohen edhe nisma private të suksesshme të biznesit dhe komunitetit të Beratit, të cilët i janë përgjigjur prezencës turistike dhe të vizitoreve të huaj në rritje, me rritje të trendit të investimeve private dhe rritje të standarteve të shërbimit turistik. Grupimi i problemeve më të mëdha me të cilat përballet siti i trashëgimisë dhe rekomandimet e UNESCO, kanë theksuar 5 akset e ndërhyrjes së planit të menaxhimit të qendrës historike për periudhën 2013-2019: Konservimi dhe ruajtja e sitit, rigjallërimi i trashëgimisë kulturore, rritja e ndërgjegjësimit rreth vlerave të sitit të trashëgimisë, zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm dhe promovimi i vlerave të trashëgimisë kulturore. Qeveria Shqiptare, në bashkëpunim me rekomandimet e ICOMOS, UNESCO-s dhe me legjislacionin e menaxhimit të zonave të trashëgimisë kulturore ka shpallur një program prioritar për kontrollin e rreptë ligjor, për korrigjimin e gjithë deformimeve urbane në zonat historike, parqet arkeologjike dhe sitet e trashëgimisë.

Ku qëndron mbështetja e qeverisë Rama për qytetin e Beratit? 

Është hera e parë që qeveria akordon një fond të posaçëm për Beratin dhe Gjirokastrën si site të UNESCO-s dhe këtë e ka vënë kriter përfitues nga fondi i granteve të pakushtëzuara. Ndërkohë Gjirokastra, Berati dhe Kruja, janë në moratorium me VKM, deri në hartimin e strategjisë kombëtare të zhvillimit urban dhe të paketës ligjore për menaxhimin korrekt të tyre. Bashkia Berat ka një plan veprimi dhe jemi në axhendën e rekomandimeve të ICOMOS për të vlerësuar ndikimin e çdo ndërtimi pa leje dhe përgatitjen e një plani të përgjithshëm konservues për zonën historike. Popullsia e qytetit është një aset i rëndësishëm në ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Është e nevojshme të informohen vazhdimisht banorët mbi nevojën për të ruajtur këtë sit të trashëgimisë dhe për veprimet dhe masat e mbrojtjes që duhet të merren, veçanërisht kur qytetarët ndërhyjnë në ndërtesat e tyre, monumente të kulturës. Rregullorja për qendrën historike të Beratit dhe zonën tampon të saj është e domosdoshme për ruajtjen e qendrës historike të Beratit dhe kjo është e mjaftueshme.

Aktualisht, çfarë po bëhet?

Për këtë arsye ajo duhet të miratohet dhe zbatohet pa vonesë dhe qytetarët duhet të informohen mbi rregullat e kësaj rregulloreje. Ka filluar puna për rehabilitimin e infrastrukturës ekzistuese në qendrën historike dhe zonën e mbrojtur, të cilat synojnë ruajtjen e zonës, përmirësimin e aksesit në qendrën historike dhe krijimin e hapësirave rekreative dhe turistike në qendrën e qytetit. Ka filluar puna për rehabilitimin e bulevardit ‘Republika’ për krijimin e zonës së zhvillimit të biznesit që financohet nga Fondi Shqiptaro-Amerikan, me vlerë 120 milionë lek të reja me bashkëfinancim të Bashkisë Berat në shumën e 50 milionë lek të reja. Faza e dytë e projektit BID (Zonë për zhvillimin e biznesit) financuar nga Fondacioni Shqiptaro- Amerikan për Zhvillim (AADF) synon mbështetjen e disa aktiviteteve që do të hartohen për të promovuar produktet lokale dhe të edukojnë qytetaret dhe turistët rreth ofertës turistike. Do zhvillohen panaire, për artizanët dhe prodhuesit lokale. AADF do të ndihmojë bizneset dhe sitet jashtë zonës për ti përfshirë ato në grante zhvillimi dhe shërbime. Projekti “Rehabilitimi i infrastrukturës në sitet kulturore në Shqipëri”, financuar nga fondet IPA të BE për vitin 2014 për rrugën e këmbësorëve (me kalldrëm) drejt kalasë së qytetit, do të rrisin standardet dhe aksesin për vizitorët drejt kalasë së qytetit, duke e lidhur qendrën mesjetare, qendrën historike dhe kalanë, me një infrastrukturë të rehabilituar. Projekti do të implementohet gjatë viteve 2014-2015. Shëtitorja e lumit Osum, financuar nga qeveria Shqiptare synon të përmirësojë infrastrukturën dhe askesin në zonën e mbrojtur duke përmirësuar peizazhin urban. Punimet do të fillojnë në muajin korrik 2014.

Po parku qendror? 

Investimi në parkun qendror të qytetit, financuar nga qeveria Shqiptare synon të përmirësojë imazhin e qendrës së qytetit, duke plotësuar hapësirat e pedonales dhe duke rritur aktivitetet rikrijuese. Punimet do fillojnë këtë muaj. Restaurimi i Urës së Goricës, financim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Punimet do fillojnë brenda vitit 2014. Organizata turke për zhvillim TIKA ka filluar financimin për Xhaminë e Plumbit dhe më tej do të vijojë me dy xhamitë e tjera (Xhamia Mbret, Xhamia e Beqareve), duke i konsideruar këto objekte, jo vetëm si objekte religjioze, por edhe si atraksione turistike dhe pika me interes për tu vizituar.

Disa nga projektet që janë në fazën e përgatitjes? 

Janë disa, por unë do përmend si më të rëndësishmit, projektin e sistemimit të lumit Osum dhe i Unazës së qytetit – Studio ITP-LTD si dhe kompania Synohidro. Projekti i fasadave të bllokut të banesave L.22 Tetori-Studio A.C.T.I sh.p.k. Projekti i godinës së re të bashkisë dhe i qendrës multifunksionale (Is-Markata e Qytetit) Studio PRO-JECT & PEOPLE, ARCHIMED, B&L. Koncept-ideja dhe projekti i sheshit ‘Harmonia Fetare’ (ish-Axhencia). Projekti i Kullës së Sahatit dhe ngritjen e përmendoreve si dhe përjetësimin e figurave historike të Beratit.

Cilat janë disa nga problematikat që kërkojnë zgjidhje? 

Është e domosdoshme ndërhyrja e qeverisë për financimin e Unazës së qytetit, e cila do të shmangte rrezikun e dëmtimit të lagjes ‘Mangalem’ nga transporti i mjeteve të rënda. Projekti është përgatitur dhe pret vetëm rrugën e financimit. Rreziqet natyrore të lidhura me rënien e shkëmbinjve dhe rënien e zjarreve, përbëjnë kërcënim për lagjet muzeale e historike. Ka një projekt të përgatitur nga kompania zvicerane “Geo Bruk” për mbrojtjen e ‘Mangalemit’ nga rënia e shkëmbinjve. Muret rrethuese të kalasë dhe banesat në qendrën historike kërkojnë ndërhyrje të plota restauruese. Infrastruktura e rrugëve lidhëse të Beratit me Tiranën dhe portet nëpërmjet akseve Berat-Lushnje dhe Berat- Fier, është shumë e dobët, duke u bërë pengesë për zhvillimin e turizmit. Gjithashtu autoritetet e Ministrisë së Kulturës duhet të përgatisin rekomandime të detajuara mbi mënyrën se si duhet të zbuten të gjitha veprimet e paligjshme, në kundërshtim me standardet ndërkombëtare të konservimit dhe ligjet Shqiptare.