Home / Projekte / Hartohet Plani i Pergjithshem i Mbetjeve ne Rajonin e Beratit

Hartohet Plani i Pergjithshem i Mbetjeve ne Rajonin e Beratit

Ky plan ka disa qëllime në vetvete.

Ai është një mjet komunikimi që parashtron problemet  në fushën e menaxhimit të mbetjeve urbane duke shpjeguar ndryshimet që duhen bërë dhe duke përcaktuar prioritetet e veprimit. Më tepër se gjithçka, është një mjet për të orientuar ndryshimet duke sjellë bashkë këndvështrimet dhe idetë e bashkëqytetarëve, subjekteve dhe organizatave lidhur me gjithë spektrin e problemeve të mbetjeve urbane. Gjithashtu ky plan është një sfidë për gjithë aktorët e qytetit për të gjetur mënyrën më të mirë për të kontribuar në krijimin e një mjedisi të pastër, me standarte dhe që reflekton qytetari.

Ekzistojnë disa plane menaxhimi mbetjesh që adresojnë probleme të veçanta të këtij sektori, por natyra e fragmentuar e objektivave dhe veprimeve të propozuara bën që këto plane shpesh të mbeten të pazbatueshme dhe pa rezultatet e dëshirura. Ky dokument sjell bashkë qëllimet dhe objektivat e planit kombëtar të menaxhimit të mbetjeve urbane duke i integruar dhe vendosur ato në kontekstin vendor ku roli i qytetarit është i patjetërsueshëm.

Dy elementët të cilëve ne i kemi dhënë më shumë peshë në plan e për rjedhojë do të përbëjnë edhe celësin e suksesit në të ardhmen janë a) përcaktimi i kostove dhe mënyrës më të pranuar për menaxhimin e mbetjeve dhe b) edukimi mjedisor dhe ndërgjegjësimi qytetar pa të cilin realizimi i këtij plani nuk do të ishte i mundur.

Si pjesë integale e këtij plani grupi i punës ka përgatitur  një plan afatmesëm veprimi i cili do të na ndihmojë të gjithëve të mobilizojmë burimet tona për ta berë atë realitet si dhe për ta kthyer Beratin në një nga qytetet e para që adreson menaxhimin e mbetjeve urbane sipas kërkesave të  strategjisë kombëtare të mbetjeve.

Objektivi i këtij plani është vetëm Bashkia e Beratit[1].  Ky plan analizon situatën aktuale të menaxhimit të mbetjeve urbane në qytet (organizimi, administrimi, rregulloret, financat, operimi dhe menaxhimi), identifikon çështjet dhe mangësitë, vlerëson pikat e forta dhe të dobta, propozon rekomandime për përmirësime dhe përcakton vizionin, qëllime dhe objektiva të reja (afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata) si edhe ka hartuar një Plan Veprimi ku përcaktohen afatet kohore, kostot, autoritetet përgjegjëse si edhe indikatorët respektivë të suksesit për qëllime monitorimi