Home / Aktivitete / Gazetarë gjermanë vizitojnë Beratin

Gazetarë gjermanë vizitojnë Beratin

Ditë e djeshme, në datën 3 Maj 2012 një grup gazetarësh Gjermanë, përfaqësues të disa mediave më prestigjioze Gjermane si : Klubi i Shtypit të Berlinit, Gazeta ”Frankfurter Allgemeine Zeitung”, ” Spiegel”, ”AFP”. Gazeta Ekonomike” Handelsblat”, ”Tagessspiegel”, Dhoma e Industrisë dhe Tregtisë, Universiteti i Lirë i Berlinit, dhe disa media te tjera gjermane, zhvilluan një vizitë në Bashkinë e Beratit ku u takuan me Kryetarin e Bashkisë Z. Fadil Nasufi.

Qëllimi i këtij turi të gazetarëve Gjermanë në Shqipëri është njohja nga afër me procesin e integrimit Evropian të Shqipërisë, zhvillimi i bisedave me përfaqësues të autoriteteve qendrore dhe lokale, me përfaqësues të shoqërisë civile, dhe mediave.

Gjatë takimit Kryetari i Bashkisë Z. Fadil Nasufi prezantoi qytetin e Beratit , resurset e tij dhe trashëgiminë e çmuar historiko-kulturore, duke theksuar faktin se qyteti është një Sit i Trashëgimisë Botërore dhe si i tillë përballet me shumë sfida që duhet të përmbushen për te mirëmbajtur dhe ruajtur këtë pasuri.

Gjithashtu në fjalën e tij Z. Nasufi prezantoi drejtimet kryesore të ekonomisë lokale të qytetit , turizmin dhe agrobiznesin, duke theksuar rolin e investimeve Gjermane në qytet, kryesisht me financimin në projektin e ujësjellës kanalizime nga Banka Gjermane KFW dhe mbështetja për shërbimet publike nga Organizata Gjermane GTZ.

Ai vlerësoi së tepërmi këto kontribute, duke i ftuar gjithashtu pjesëmarrësit që nëpërmjet rolit të tyre si përfaqësues të medias, të mundësojnë lidhje dhe bashkëpunime ndërmjet qyteteve Gjermane të ngjashme për nga vlerat me qytetin e  Beratit. Z. Nasufi theksoi gjithashtu afinitetin e popullit Shqiptar ndaj atij Gjerman, ndaj kulturës së punës Gjermane, duke përbërë një model referimi për rrugën tonë drejt familjes Evropiane.

Gazetarët Gjermanë u shprehën se Berati është destinacioni i tyre i parë në Jug të Shqipërisë dhe kanë mbetur të befasuar nga vizita që kanë zhvilluar në Kështjellën e qytetit. Në pyetjet e tyre ata shprehën interesim për zhvillimin e ekonomisë së qytetit, sistemin arsimor, për menaxhimin e mbetjeve dhe menaxhimin e lumit Osum dhe pyetje të tjera të lidhura me zhvillimin e turizmit.

Përfaqësuesit Gjermanë shprehën gjithashtu interesim për investimet Gjermane të cilat po kryhen në qytet dhe projektet që janë ndërmarrë në këtë drejtim.

Në këtë takim ishin të pranishëm përfaqësues të mediave të qytetit.