Home / Aktivitete / FESTOHET DITA E UJIT TË BEKUAR

FESTOHET DITA E UJIT TË BEKUAR

Besimtarët ortodoksë kanë festuar sot Ditën e Ujit të Bekuar. Rituali tradicional i hedhjes së Kryqit në ujërat e lumit Osum u ndoq me interes jo vetëm nga besimtarët ortodoksë, por edhe nga qytetarë të shumtë të përkatësive të ndryshme fetare, të cilët e shohin këtë ditë si një festë të përbashkët. Një atmosferë solemne i dha kësaj dite edhe Orkestra Frymore e Qendrës Kulturore “Margarita Tutulani”, e cila performoi me këtë rast.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm Nënkryetarët e Bashkisë, znj. Teuta Muçogllava dhe z. Çlirim Brisku, Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë, z. Gëzim Zema, deputetë të Qarkut Berat, punonjës të institiucioneve vendore etj. Mitropoliti i Beratit, Hirësia e Tij, imzot Ignati, i shoqëruar nga përfaqësues të tjerë të klerit ortodoks dhe qytetarë të shumtë, pasi kreu liturgjinë fetare në katedralen e Shën Dhimitrit, përshkoi zonën këmbësore dhe u drejtua për tek ura e Goricës, vend ku për çdo vit është kryer hedhja e Kryqit në ujërat e ftohta të lumit Osum. 


Rituali i hedhjes së Kryqit nga imzot Ignati u prit me interes nga qindra njerëz, të cilët ndoqën me kureshtje zhytjen në ujin e ftohtë të lumit Osum të djemve të lagjeve “Goricë” e “Mangalem” për të kapur Kryqin, pasi besojnë në bekimin e tij. Sërish fitues dolën një grup djemsh të lagjes “Goricë”. Pas kryerjes së këtij rituali, autoritete të pushtetit vendor, të kryesuar nga Kryetarja e Këshillit Bashkiak, znj. Nikoleta Manka, vizituan Mitropolinë e Shenjtë për të kryer urimet e rastit.