Home / Aktivitete / Festivali Folklorik ‘’FolkArt Berat’’

Festivali Folklorik ‘’FolkArt Berat’’

Në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, Bashkia Berat organizoi në Kalanë e Beratit në vendin e quajtur Akropoli, Festivalin Folklorik ‘’FolkArt Berat’’ . Në këtë event u shpalosën vlerat më të mira të tradisës popullore të këngëve dhe valleve të trevave të Beratit, Skraparit, Urës Vajgurore, Poliçanit dhe Kuçovës. Festivali u ndoq nga qindra pjesëmarës, qytetarë dhe turistë të huaj që vizituan Kalanë e Beratit. Ashtu si dhe në trashëgiminë e ndërtuar materiale, edhe në trashëgiminë shpirtërore qyteti dhe treva e Beratit ka një pasuri të çmuar. Këngët dhe vallet që kanë ushqyer shpirtrat e brezave të njëpasnjëshëm, janë një frymëzim i vërtetë për artistët e sotëm popullorë dhe bashkëkohorë.
Kryetari i Bashkisë Berat Z. Petrit Sinaj gjatë fjalës së tij u shpreh së ky aktivitet do të vazhdojë edhe në vitet në vazhdim duke iu shërbyer artistëve si një platformë ku të mund të shfaqin evoluimin e artit të tyre si dhe një nxitje për ruajtjen, mbrojtjen dhe promovimin më të mirë të trashëgimisë sonë shpirtërore.
Këngët dhe vallet popullore janë pasuruar në vite në bazë të krijimtarisë së artistëve të shquar dhe kontekstit të kohës si dhe zhvillimeve sociale, kulturore dhe ekonomike. Edhe pse afër me njëra tjetren, ky zhanër artistik popullor ka tiparet dhe karakteristikat për zonat e ndryshme në qytetin e Beratit. Pikërisht këto veçanti artistike shërbyen si një shtysë që të vlerësonte dhe shijojonte krijimet e çdo grupi që përfaqëson qytetin e tij në Qarkun Berat.
Festivali ‘’Folk Art’’ u organizua në bashkëpunim me Drejtorinë e Kulturës Kombëtare Berat, Shoqatën e Artizanatit ‘’Margarita’’ dhe Bashkitë e Qarkut Berat.
Festivali u shoqërua me një Panair të produkteve të artizanatit të përgatitura nga mjeshtrit e artizanatit të qytetit të Beratit.