Home / Aktivitete / Festimet e Datës 24 Nëntor

Festimet e Datës 24 Nëntor

Me moton “2500 vjet qytetari – 100 vjet pavarësi”, qyteti historiko-muzeal i Beratit ka rreth dy javë që është veshur i gjithë kuq e zi. Atmosfera e festës ka kulmuar në datën 24 Nëntor kur edhe u organizua festa e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Në këtë ditë atmosferën e ka ndezur edhe më shumë parada me kuaj dhe kalorësit me flamurin kuq e zi në dorë, shfaqje që evokonte udhëtimin e patriotëve beratas dhe të gjithë Shqipërisë drejt Vlorës ditën e 28 nëntorit të vitit 1912, si dhe motoçiklistët e stolisur me flamurin kombëtar të ardhur nga Kukësi, Tropoja, Kruja, Tirana, Vlora, Berati dhe e gjithë Shqipëria. Veç aktiviteteve të shumta Berati, si rajoni që ka një rol kryesor në pavarësimin e Shqipërisë, ka nderuar edhe disa prej figurave patriotike si: Iliaz Vrioni, Babë Dud Karbunara, Ferit Vokopola, Dhimitër Tutulani, Hajredin Cakrani, Xhelal Koprencka e të tjerë burra, të cilët ishin delegat apo firmosën në Vlorë aktin themeltar të shtetit të pavarur shqiptar. Po në këtë ditë beratasit kanë vazhduar festimet në Qendrën Kulturore “Margarita Tutulani” në hollin e të cilit ekspozohej Kodiku i Purpurt i Berat shek. VI-të, si dhe kanë parë ekspozitën e çelur me rastin e 100 Vjetorit të Pavarësisë ku ekspozoheshin 111 piktura, fotografi dhe vepra të tjera arti të realizuara nga 97 autorë të ndryshëm shqiptarë. Aktivitetet kanë vazhduar edhe në ditën e sotme me përurimin e rikonstruksionit të Memorialit kushtuar dëshmorëve dhe kontributit të luftëtarëve të lirisë në periudhën 1912-1944. Në këtë eveniment, ku ishin të pranishëm qytetarë të shumtë drejtues të pushtetit vendor, nën kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Nasip Naço, dhe përfaqësues të të gjitha forcave politike, kryebashkiaku Fadil Nasufi ka ndarë 25 certifikata mirënjohje për mbështetësit dhe përkrahësit e 6 firmëtarëve beratas të aktit të pavarësisë si dhe 20 certifikata falënderimi në përkujtim të veprës së luftëtarëve që kontribuan në çështjen kombëtare. Në fjalën e tij kryebashkiaku Nasufi, u shpreh se “jemi sot këtu për të nderuar dhe respektuar burrat e kombit dhe firmëtarët e aktit të pavarësisë që kurorëzuan ëndrrën e madhe të të gjithë Shqipëtarëve”. Pas dorëzimit të titujve, akorduar nga Këshilli Bashkiak, në Memorialin kushtuar luftëtarëve të lirisë u vendosën kurora dhe buqeta me lule. Festimet do vazhdojnë ditën e nesërme në qytetin e Vlorës, ku veç automjeteve private bashkia Berat ka vënë në dispozicion të qytetarëve edhe 3 autobusë.

A.K.