Home / Të Reja / Dr. Marela Guga: “Prefektura e Beratit, gjatë viteve 1920-1939”

Dr. Marela Guga: “Prefektura e Beratit, gjatë viteve 1920-1939”

Në kuadrin e 100 vjetorit të pavarësisë, është promovuar ditën e djeshme në bibliotekën “Vexhi Buharaja” të qytetit muze, libri historik: “Prefektura e Beratit, gjatë viteve 1920-1939” me autore historianen beratase Dr. Marela Guga. Në këtë veprimtari, veç shumë qytetarëve beratas, njerëz të kulturës dhe fushës së historisë, merrte pjesë edhe kryetari i bashkisë Fadil Nasufi. Aktivitetin e hapi drejtoresha e bibliotekës Valbona Zylyftari. Libri flet për fillesat e krijimit të organeve të qeverisjes vendore në rang prefekture. Ky libër është mbështetur mbi burime arkivore dhe pasqyron historinë e Beratit, në të gjitha aspektet si: në fushën ekonomike, politike, arsimore, shëndetësore e fetare gjatë 20 viteve, kohë kur shteti shqiptar nisi të funksionojë dhe të zhvillohet. “Prefektura e Beratit, gjatë viteve 1920-1939” është një libër që veç historisë, zhanrin narrativ dhe pasqyrimin e argumenteve shkencore, emrave, shifrave, grafikëve etj, gjë që e bën këtë libër një studim monografik të rëndësishëm për historinë e krijimit të prefekturës së Beratit. Referuesit që morën fjalën në këtë aktivitet promovues u shprehën se ky libër do ti shërbejë çdo studiuesi, nxënësi, mësuesi të historisë dhe çdo qytetari beratas për tu njohur me emrat dhe figurat që kanë dhënë kontribute të çmuara në zhvillimet historike, politike e sociale-ekonomike të qytetit dhe prefekturës së Beratit.
Vetë autorja e librit Dr. Marela Guga, në një prononcim për gazeta “Berati Millennium” u shpreh se ky libër është një histori e prefekturës së Beratit, i cili nis me historinë e funksionimit të institucioneve dhe ndryshimet demografike që kanë ndodhur në këtë qytet. Sipas saj në këtë libër trajnohen historia politike, ekonomike, arsimore dhe kulturore, si dhe ngjarjet më të rëndësishme kombëtare të zhvilluara në prefekturën e Beratit në vitet 1920-1939. “Të gjithë protagonistët e jetës politike, kryetarët e bashkive, prefektët dhe trupi legjislativ, janë nxjerr në pah sipas kohës së tyre, duke plotësuar mungesën e dukshme në këtë fushë. Historigrafia shqiptare, në mënyrë të pjesshme apo të plotë, ka trajtuar dhe më parë problem që lidhen edhe me prefekturën e Beratit. Vlen të përmendim botimet e studiuesve të njohur shqiptarë Aleksandër Meksi, Emin Laze, Teku Selenica, Ferit Duka, Ilias Fishta, Kristaq Misha, Theodhor Kareco, Dionis Papa, Vasil Naco, Hëna Spahiu, Sali Hallkokondi etj. Këta autorë, në punimet e tyre kanë dhënë një ndihmesë shumë të çmuar për sqarimin e problemeve të veçanta dhe për periudha të ndryshme të historisë së Shqipërisë”- komentoi autorja e librit M. Guga.