Home / Aktivitete / Dialogu midis Qyteteve: Planifikimi Urban dhe Menaxhimi i Tokës

Dialogu midis Qyteteve: Planifikimi Urban dhe Menaxhimi i Tokës

Banka Botërore, në kuadrin e Programit Dialogu midis Qyteteve, në Bashkëpunim me Co-Plan dhe Universitetin Polis organizuan seminarin me Temë: Planifikimi Urban dhe Menaxhimi i Tokës. Të ftuar ishin përfaqësues nga shumë Bashki të Evropës Juglindore, si: Mal i zi, Kosova, Maqedonia, Kroacia, Serbia, Shqipëria etj. Në takim morrin pjesë edhe përfaqësues nga Bashkia Berat.

Në fillim të takimit u prezantua një studim i Kuadrit Institucional dhe Ligjor për Planifikimin Urban në Evropën Juglindore. Sipas studimit të kryer në lidhje me sistemet planifikuese u arrit në konkluzionin se roli i pushtetit qendror është dominues në përcaktimin e ligjeve dhe mbajtjen e kontrollit, ndërsa decentralizimi është i pamjaftueshëm për menaxhimin e procesit të planifikimit urban. Pushtetit lokal  duhet t’i jepen më shumë kompetenca për të pasur në pronë dhe menaxhuar tokën, si dhe lëshojë dhe miratojë të gjitha planet lokale. Të tjera konkluzione që u nxorën nga dialogu midis partnerëve ishte se planifikimi shpesh e pengon zhvillimin dhe nuk i konsideron mundësitë dhe nevojat e vërteta të tregut, por, nga ana tjetër, në takim u arsyetua se zhvillimi në kushtet e tregut mund seriozisht të dëmtojë zhvillimin e qëndrueshëm të qyteteve dhe të rrezikojë interesin publik. Me rëndësi është që të përmirësohen dispozitat ligjore që të bëhen më të ndjeshme ndaj mundësive zhvillimore dhe të bëhet institucionalizimi i bashkëpunimit dhe partneritetit ndërmjet autoriteteve, planifikuesve dhe investitorëve.

Të tjera përfundime të debatit në seminar: korniza ligjore shpesh nuk përshtatet me situatën në terren, duhet pasur një përqasje planifikimi më fleksible, publiku duhet të jetë më shumë prezent në hartimin e planeve, në Bashkitë respektive duhen vijuar përpjekjet për ngritjen e kapaciteteve si dhe qeveria qendrore nuk duhet të vazhdojë të kontrollojë planet.

Në seminar u përmirësua një formular vlerësimi mbi planifikimin urban në Evropën Juglindore. Formulari do t’u shpërndahet të gjithë partnerëve pjesëmarrës. Gjetjet kryesore nga të gjithë partnerët do të prezantohen në një tjetër seminar i cili do të mbahet në Budva në fillim të muajit Nëntor. Seminari i ardhshëm do të titullohet Financat e Bashkive dhe Përdorimi i Tokës dhe do të analizojë instrumentet financiare për zhvillimin e tokës si dhe do të japë rekomandimet përkatëse.