Home / Aktivitete / Bashkia Yenimahalle (Ankara) dhuron mjete dhe pajisje për Bashkinë Berat

Bashkia Yenimahalle (Ankara) dhuron mjete dhe pajisje për Bashkinë Berat

Në kuadrin e marrëdhënieve të binjakëzimit ndërmjet Bashkisë së Beratit dhe Bashkisë Yenimahalle në Ankara – Turqi, dhe bazuar në marrëveshjen e partneritetit ndërmjet dy qyteteve, Bashkia e Yenimahalles ka dhuruar së fundmi një paketë pajisjesh dhe mjete pune për Bashkinë Berat dhe Qendrën e Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara LIRA e cila menaxhohet prej BashkisëBerat. Paketa e ndihmës konsiston në pajisje kompjuterike, pajisje elektroshtëpiake për Qendrën LIRA, mjete dhe pajisje didaktike pune për fëmijët me aftësi të kufizuara të Qendrës LIRA dhe lojëra për fëmijët.

I pranishëm në ceremoninë e dhurimit të ndihmave ka qenë Kryetari i Bashkisë Berat Z. Fadil Nasufi dhe përfaqësues të Medresesë së Beratit të cilët bënë të mundur transportin e dërgesës.

Z. Nasufi ka falënderuar për dhurimin, duke theksuar se bashkëpunimi ndërmjet dy bashkive do të vijoje edhe në të ardhmen, dhe njëkohësisht duke bërë apel për ndihmë ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuar që frekuentojnë dy qendrat e fëmijëve në Berat: Qendrën ‘’Unë jam si ju ‘’ dhe Qendrën LIRA’’.

Bashkia Yenimahalle është bashkia e dytë më e madhe në Ankara. Pas nënshkrimit të Memorandumit nga të dyja qytetet, është shprehur gatishmëria për bashkëpunim në fushat: sociale, kulturore, infrastrukture, mjedis, teknologji dhe gjithashtu në modernizmin e infrastrukturës në territoret respektive.