Përshëndetje e Kryetarit të Bashkisë Berat Z. Fadil Nasufi
Berati nje krenari per Shqiperine
Kur do të shkruash diçka për Beratin, në faqet e para të një guide apo albumi, të një almanaku apo katalogu, je para një sfide , ku më së paku do të druhesh nga mosgjetja e fjaleve për të komplimentuar një qytet të magjishëm, do të tundohesh nëse ke bërë më të mirën në përzgjedhjen për botim nga pasuria e pafund e vlerave që mbart Berati dhe do të jesh në siklet, që nuk ke thënë atë që duhet e më tej nuk ke bërë atë ç’ka meriton e ç’ka përfaqëson një qytet me histori mbi 2400 vjeçare si Berati. Por ti i shpëton mëdyshjes dhe tundimit të sinqertë – thjesht duke bërë detyrën e mikpritësit si qytetar beratas, me ftesën e hapur për të gjithë: “Mirësevini në Berat”“ Ejani në Berat”. Berati flet vetë. Ai flet me forcën dhe magjinë e vlerave dhe pasurive të çmuara që mbartin koncentrimet e shpirtit dhe kulturës së stërgjyshërve tanë, të cilët mbajtën të pashuar zjarrin e qytetërimit në mbi 2400 vjet jetë. Qyteti ynë shfaqet si një monument i pakrahasueshem, bashkëekzistence e vijushmerie dhe sot na jep prova autentike dhe një seri të vërtetash që mbrojnë e ndriçojnë racën shqiptare, gjenezën tonë dhe i siguron mburrje gjithë kombit. S’ka se si të mos krenohesh me “Kodikët e Beratit” me “Beratinusin e Purpurt” të Shek.VI që mban mbi vehte një botë të tërë! S’ka se si të mos ndihesh kryelartë kur në rrënjët e historisë së këtij qyteti,- qëndrojnë emra të shquar me famë europiane si Muzakajt, Onufri, Qyprilinjtë, ….. . S’ka se si të mos impresionohesh nga vlerësimet dhe mbresat që kanë dhënë për Beratin personalitete dhe figura të spikatura që e perifrazojnë si më poshtë: “Jam Onufri qe vij nga qyteti i shumëndritur i Beratit”- Onufri “Berati është i bukur , për të qenë përjetësisht i bukur”- Shtraus “Këto vlera, ky muze dhe qyteti i Beratit nuk ju përket vetëm juve por i perket gjithë njerëzimit” – Perez de Kuelar “Kështjellë e bukur si kopshtet paraizorë– qytet i qeshur dhe i çiltër i Beratit”.- Evlia Çelebiu Shqiptaret dhe vizitorët e huaj mrekullohen e befasohen nga pamja panoramike dhe emblematike e Mangalemit që është si kurorë e artë në kokën e një Missi. Duke vizituar qytetin dhe Kalanë, duke patur mundësinë të njihen me Muzeun Kombëtar “Onufri”- ju mund të “ritakoheni” me të gjithë mjeshtrit e ikonografisë shqiptare: Onufri, Nikolla, Onufër Qiprioti, K.Shpataraku, Dinastinë e piktorevë Katro e Çetiri. Njëherazi, ju do të mund të vizitoni disa nga perlat e arkitekturës dhe pikturës bizantine e postbizantine që ndodhen brënda mureve të Kalasë dhe lagjevemuzeale dhe që janë të mbuluara me afresket e piktorëve anonimë. Ejani të njihni Beratin! Ai shfaqet para jush si një muze në qiell të hapur . Berati lexohet si një libër me poezi, kundrohet si një pikturë moderne, dëgjohet si një simfoni që të ripërtërin. Berati të ç’lodh, të fisnikëron, të bën të ndihesh si në shtëpinë tënde dhe nga vizitor të kthehesh në banor të tij. Kënaqësinë dhe mbresat e pashlyeshme– Juve të dashur vizitorë do t’jua shtojnë banorët e urtë, të mençur e mikpritës të Beratit. Mes tyre ju me siguri do të gjeni ngrohtësinë familjare, përkushtimin ndaj mikut, pasionin për t’ju folur dhe treguar për qytetin, kuzhinën karakteristike, këngët, suveniret, …. përkujdesjen njerëzore. Jeni në qytetin e bardhë– me zemër të bardhë.
This post is also available in: English
© 2012. Të Gjitha të Drejtat e Rezervuara. Krijuar nga Marius Qytyku bashkiaberat.net