Home / Aktivitete / Marrëveshje bashkëpunimi me Bashkinë e Yenimahallës në Ankara

Marrëveshje bashkëpunimi me Bashkinë e Yenimahallës në Ankara

Nga datat 23-26 Prill, një delegacion i Bashkisë Berat vizitoi Bashkinë e Yenimahallës në Ankara të Turqisë me ftesë të homologëve turq. Bashkia e Yenimahallës është Bashkia e dytë më e madhe në qytetin e Ankarasë.

Gjatë vizitës, delegacioni u njoh nga afër me organizimin si dhe realizmin e suksesshëm të disa projekteve që Bashkia Yenimahallë ka ndërmarrë në tre vitet e fundit. Në takim u diskutuan forma të ndryshme menaxhimi projektesh, dhe nxitja e punësimit të komunitetit me anë të partneriteteve publikë-privat.

Përfaqësuesit e Bashkisë së Yenimahallës vlerësuan punën dhe përpjekjet e Bashkisë Berat për të krijuar partneritete të dobishme me vende që janë shembuj suksesi. Gjatë vizitës, midis Kryetarit të Bashkisë Berat, Z. Fadil Nasufi si dhe kryetarit të Bashkisë së Yenimahallës Z. Fethi Yaşar u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi në shumë fusha të zhvillimit ekonomik dhe social.  Një aktivitet i spikatur ishte edhe nderimi ceremonial që të dyja delegacionet kryen në Mauzoleumin Ataturk.