Home / Aktivitete / VIZITË PUNE NË BASHKINË AMASYA, TURQI

VIZITË PUNE NË BASHKINË AMASYA, TURQI

Me ftesë të Kryetarit të Bashkisë Amasya në Turqi, një delegacion i Bashkisë së Beratit i kryesuar nga Kryetari i Bashkisë, z. Petrit Sinaj, dhe i përbërë nga anëtarë të Këshillit Bashkiak, përfaqësues të të gjitha grupimeve politike në Këshill, si dhe përfaqësues të Bashkisë Berat, zhvilloi një vizitë pune në datat 12-14 prill në Bashkinë Amasya të Turqisë. Amasya është bashki binjake me Beratin, protokolli i binjakëzimit është nënshkruar në Berat në 15 Shtator 2017.

Në ambientet e Qendrës Kulturore Amasya u organizuan takime me Kryetarin e Bashkisë Amasya, z. Cafer Ozdemir, Rektorin e Universitetit të Amasya-s Dr. Tekst Orbay, Presidentin e Dhomës së Tregtisë z. Murat Sëallo, Zëvendëskryetarin e Bashkisë, z. Cengiz Erdem, dhe të ftuarin e posaçëm, Kryetarin e Bashkisë Prizren, z. Mytaher Haskuka.
Bashkitë Amasya, Berat dhe Prizren nënshkruan protokollin e bashkëpunimit ndërmjet tyre për projekte të përbashkëta në fushat e kulturës, arsimit (shkëmbimeve të studentëve), shërbimeve sociale, produktet dhe sektorët industrialë, vlerësimi i produkteve bujqësore dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore.
U diskutua për shkëmbime studentësh ndërmjet tri qyteteve (Amasya, Berat dhe Prizren). Universiteti i Amasyas ofron degë studimi në MJEKËSI, SHKENCA SOCIALE dhe SHKENCA NATYRORE çdo vit për 20 studentë të huaj. Pala turke shprehu mbështetjen për ofrimin e bursave të studimit për studentët nga Berati, të cilët duhet të jenë nxënës që plotësojnë kushtet e aplikimit. Për koordinimin dhe zbatimin e të gjitha marrëdhënieve dypalëshe në fushat e përmenduara më sipër, u vendos ngritja e një Sekretariati bashkëpunimi.
Delegacioni shqiptar vizitoi gjithashtu disa nga qendra më spikatura të kulturës në Amasya: Qendra e Kulturës së Artizanatit, Muzeu i Amasyas në miniaturë dhe Kalanë e Qytetit.
Amasya është një qytet me nje histori të lashtë në Turqinë Veriore dhe është kryeqyteti i Provincës Amasya në Rajonin e Detit të Zi. Popullsia e tij është rreth 98 mijë banorë. Në antikitet, Amasyaja ishte një qytet i fortifikuar me një histori të gjatë si një kryeqytet i pasur provincial, vendlindja e mbretërve, artistëve, shkencëtarëve, poetëve dhe mendimtarëve nga mbretërit e Pontit (përmendet si vendlidja e gjeografit Strabo). Me shtëpitë prej druri otomane dhe varret e mbretërve Pontus të gdhendura në shkëmbinj të lartë, Amasyaja është një qendër tërheqëse për vizitorët. Qyteti ka shumë prodhime bujqësore. Aktivitete të tjera ekonomike në rajon përfshijnë minierat, tekstilet dhe prodhimin e çimentos. Vitet e fundit në Amasya jane zhvilluar prodhimi i makinave elektrike dhe pajisjeve elektro-shtëpiake, si dhe industria tekstile dhe ushqimore.