Home / Investime / Inspektimi i platformave multifunksionale të informacionit INFOKIOSKA

Inspektimi i platformave multifunksionale të informacionit INFOKIOSKA

Ditën e sotme, Kryetari i Bashkisë, z. Petrit Sinaj, vizitoi dhe pa nga afër investimin e kryer nga firma “Divitech SHPK” për vendosjen e platformave multifunksionale të informacionit, INFOKIOSK, për turistët dhe qytetarët e Beratit. Ky projekt prej 135 milion lekësh (të vjetra), që po zbatohet nga firma “Divitech”, është një projekt i fituar nga Bashkia e Beratit në kuadrin e projekteve “Shqipëria digjitale”. Është një investimin që kryhet për herë të parë në Shqipëri dhe ka si qëllim të ofrojë për turistët vendës dhe të huaj informacione të shumta që lidhen me qendrat historike, muzeale, etnografike, restorantet, hotelet dhe gjithçkaje tjetër që mund t’u shërbejë vizitorëve, duke lehtësuar dhënien e informacionit, por edhe duke bërë një lloj reklamimi digjital të të gjitha resurseve që ofron qyteti i Beratit. 


Ky investim përfshinte vendosjen e tetë platformave elektronike infokiosk në disa nga pikat kyçe të qytetit. Platformat infokiosk janë të pajisura me një ekran kompjuterik të integruar dhe një ekran me prekje (sensor) që lehtëson shërbimin dhe ndërveprimin me përdoruesin. Specialistët e “Divitech” u shprehën se kjo është një risi teknologjike që aplikohet për herë të parë në Shqipëri dhe që me kohë do të instalohet edhe në qytet e tjera. Infokiosk janë në formën e kompjuterave publikë, ku kushdo mund të ketë akses për informacion. 


Kryetari i Bashkisë, z. Sinaj, në komunikimin e tij me mediet u shpreh: “Ky investimi përfshin vendosjen e tetë platofrmave të informacionit në qytetin e Beratit dhe dy për qytetet e Poliçanit dhe të Çorovodës. Vendosja e tyre do të zëvendësojë qindra dhe mijëra harta dhe fletëpalosje, guida të ndryshme që prezantonin të gjitha pikat turistike të Qarkut të Beratit. Siç e dëgjuat edhe nga specialistët, faza e parë e këtij investimi ka përfunduar, ndërsa më tej këto pajisje do të pasurohen ditë pas dite me informacione të bollshme dhe të detajuara, që nga monumentet e kategorisë së pare e të dytë, banesat e lagjeve muzeale që janë pjesë e UNESCO-s, restorantet, hotelet, pikat më të vizituara turistike, pikat monumente kulture dhe natyre për të gjithë territorin e Bashkisë së Beratit. Kjo është një risi për qytetit tonë që do t’u shërbejë turistëve vendës dhe të huaj, biznesve të ndryshme, por edhe gjithë qytetarëve të Beratit. Meraku ynë i vetëm tani është ruajtja dhe mirëmbajtja e tyre, pasi kjo është një pronë e përbashkët që do t’i shërbejë zhvillimit të mëtejshëm të qytetit tonë”.