Home / Aktivitete / Dita Kombetare e Trashegimise Kulturore

Dita Kombetare e Trashegimise Kulturore

Bashkia Berat në bashkëpunim me Drejtorinë Kombëtare të Muzeumeve Kombëtare dhe Drejtorinë Rajonale të Monumenteve të Kulturës, në kuadrin e 29 Shtatorit, Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, organizuan evente të ndryshme kulturore. Të pranishëm në këto aktivitete ishin Presidenti i Republikës së Shqiperisë, z.Ilir Meta, Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro, Kryetari i Bashkisë së qytetit të Beratit, z.Petrit Sinaj, deputetët Fadil Nasufi, Nasip Naço etj.
Në sheshin e Muzeut Ikonografik vizitorët ndoqën me vëmendje ekspozitën e gjetjeve që janë grumbulluar gjatë veprimtarive restauruese të DRKK Berat, si: vegla pune, elemente decorative, tavane, elemente metalike kovaçhane si dhe elemente arkeologjike të ekspeditave të ndryshme në vite. Fjalën e rastit e mbajti Kryetari i Bashkise, z. Petrit Sinaj, i cili nënvizoi punën e bërë për evidentimin e vlerave të trashëgimisë kulturore, fluksin në rritje të vizitorëve të huaj, mundësitë e shumta turistike që ofron qyteti i Beratit dhe rrethinat e tij dhe premtoi bashkëpunim të frytshëm me intitucionet kulturore dhe Ministrinë e Kulturës për performancën e trashëgimisë kulturore, si një pasuri jo vetem për sot, por për brezat e ardhshëm.
Në përshëndetjen e saj, Ministrja e Kultures, znj. Mirela Kumbaro falenderoi organizuesit për krijimin e një atmosfere mikpritëse në Ditën e Trashëgimisë Kulturore dhe e vuri theksin te puna e mire që është bërë nga Drejtoria e Muzeumeve Kombëtare dhe të Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës për pasqyrimin e vlerave të Trashëgimisë Kulturore, një punë që duhet të bëhet me pasion dhe dashuri. Ajo falenderoi qytetarët beratas që kanë ruajtur me fanatizëm dhe i kanë përcjellë ato brez pas brezi.
Ndërsa Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta, në fjalën e tij falenderoi Ministrinë e Kulturës, Bashkinë Berat dhe u ndal në vlerat e kulturës dhe trashëgimisë kulturore si një nga atributet më të qenësishme të vlerave të një kombi. “Dita e sotme, – theksoi midis të tjerash Presidenti i Republikes, – është një vlerësim për qytetarët, për restauratorët, për gjithë ata breza që kanë kontribuar për trashëgiminë kulturore në shekuj.”

Presidenti i Republikës bëri apel që të gjitha institucionet kulturore të angazhohen me një punë profesionale për të evidentuar vlerat kulturoro – historike të trashëgimisë sonë.
Më pas pjesëmarrësit vizituan ekspozitën me temë “Arkitektura mesjetare e qytetit të Beratit në fotot e kohës” të ekspozuara ne hollin e Muzeut Ikonografik. Ne fund të aktiviteteve të kësaj dite Presidenti i Republikes dhe Ministrja e Kulturës vizituan Muzeun Etnografik, ku u njohën me zejet tradicionale, improvizimin e punishteve të mjeshtrave beratas.