Home / Njoftime / Njoftim me rastin e 8 Korrikut, Ditës së Regjistrimit të Beratit në Listën e UNESCO-s

Njoftim me rastin e 8 Korrikut, Ditës së Regjistrimit të Beratit në Listën e UNESCO-s

Njoftim me rastin e 8 Korrikut, Ditës së Regjistrimit të Beratit në Listën e UNESCO-s
Sot është 8 Korrik, Dita e Regjistrimit të Beratit në Listën e UNESCO-s si një qytet në seri me qytetin e Gjirokastrës. Gjatë këtyre ditëve në qytetin e Krakow, Poloni, Komiteti i Trashëgimisë Botërore është mbledhur për të shqyrtuar statusin e shumë prej qyteteve të listuara në listën e UNESCO-s si qytete të trashëgimisë kulturore botërore. Ndër to është duke u shqyrtuar edhe statusi i qyteteve të Beratit dhe Gjirokastrës.
Asambleja e Përgjithshme dhe Organet Këshillimore të Komitetit të Trashëgimisë Botërore kanë përgatitur ndërkohë një projektvendim në lidhje me qytetet e Beratit dhe Gjirokastrës, të cilin ia kanë propozuar Komitetit të Trashëgimisë Botërore për miratim.
Sipas këtij projektvendimi vlerësohet puna e kryer në Berat dhe Gjirokastër për përmirësimin e konservimit dhe menaxhimit të pasurisë, veçanërisht përsa i përket punimeve të mirëmbajtjes dhe restaurimit të ndërmarrë në vitin 2015 dhe 2016.
Në projektvendim vlerësohet puna e bërë për krijimin e indikatorëve për monitorimin e atributeve të trashëgimisë kulturore si vlerë e jashtëzakonshme universale.
Një tjetër kriter i plotësuar i kërkuar nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore është edhe hartimi i rregulloreve për mbrojtjen, konservimin dhe menaxhimin e integruar të qendrave historike Berat dhe Gjirokastër si dhe zonave të tyre tampon.
Gjithashtu në projektvendim, Komiteti i Trashëgimisë Botërore jep edhe rekomandimet e tij për t’u zbatuar në dy vitet në vijim. Rekomandimi kryesor është miratimi dhe zbatimi sa më shpejt nga qeveria shqiptare e projektligjit “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”.
Për me tepër grupet e interesit nxiten që të vijojnë me përfundimin dhe vënien në zbatim të indikatorëve për të vijuar me monitorimin dhe kontrollin e zhvillimit.
Gjithashtu në projektvendim vihet theksi për Krijimin e një Plani të Integruar Menaxhimi gjthëpërfshirës, i cili të ketë të integruar masa për zbutjen dhe eliminimin e kërcënimeve në trashëgimi. Projektet e mëdha të cilat planifikohen të ndërmerren në qytetin tonë në muajt dhe vitet në vijim sugjerohet që të konsultohen dhe miratohen paraprakisht nga organet përkatëse të Qendrës së Trashëgimisë Botërore.
Në kuadrin e kërkesave të UNESCO-s dhe planeve zhvillimore, Bashkia Berat së bashku me partnerët e saj është duke punuar aktualisht për krijimin dhe investimin e disa projekteve në Qendrën Historike Berat. Në vijim të rekomandimeve të UNESCO-s, Bashkia është duke punuar për zhvillimin social- ekonomik të banorëve si faktor i rëndësishëm për mbrojtjen e Qendrës Historike. Në këtë aspekt Bashkia Berat është duke krijuar Qendrën Komunitare për Zhvillim në Lagjen Kala në bashkëpunim me Korpusin e Paqes si dhe është duke krijuar Tregun e Artizanatit në afërsi të Lagjes Mangalem në bashkëpunim me Risi Albania.
Në vijim janë dy nga projektet strategjike të cilat Bashkia Berat është duke i koordinuar me Bankën Botërore në fushën e trashëgimisë, të cilat priten të fillojnë brenda vitit 2017.
Projekti i parë është përmirësimi i aksesit dhe trasnportit në Lagjen Kala përmes rregullimit dhe rehabilitimin të dy rrugëve që lidhin qytetin me lagjen e Kala. Projekti parashikon edhe ndërtimin e parkimit përkatës për Lagjen Kala si dhe rehabilitimin e Kullës së Tabjes.
Projekti i dytë është përmirësimi i ndriçimit dekorativ historik në Lagjet Mangalem dhe Goricë. Ndricimi do të përfshijë rrugicat e lagjeve historike si dhe monumentet më përfaqësuese.
Partnerë të tjerë me të cilët Bashkia Berat pritet të fillojë bashkëpunimin janë Komisioni Evropian, BERZH, CESVI etj., me të cilët do të kryhen projekte konkrete në drejtim të zhvillimit të turizmit nëpërmjet ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë dhe zhvillimit të burimeve natyrore dhe rajonit.